Tani, më rrallë në Shqipëri

Kengetaret Kosovare thone se me ne fund do te konkurrojne ne festivalet e tyre duke e braktisur dalengadale festivalin e RTSH

 

Pas shpalljes së pavarësisë dhe krijimit të shtetit më të ri në Ballkan, një erë e re duket se po fryn edhe për këngëtarët e mirënjohur kosovarë. Ata kanë nisur t’i përqendrojnë aktivitetet e tyre në Kosovë, duke lënë të kuptohet fakti se pas 17 shkurtit, ata do të marrin pjesë nëpër festivalet e organizuara në Shqipëri vetëm përmes ftesave speciale. “Shumë gjëra kanë nisur të ndryshojnë për mirë dhe unë jam e vetëdijshme që edhe në muzikë do të ketë risi. Mendoj se këtej e tutje do të zhvillohen një numër më i madh spektaklesh e festivalesh, e për ne këngëtarët është obligim që të marrim pjesë në to, tashmë si përfaqësuesit e flamurit kosovar”, thotë për “Korrierin” këngëtarja e njohur Nora Istrefi. Ndonëse prezantimi i saj tek publiku tiranas ka qenë në një intensitet të vogël, (kujtojmë pjesëmarrjen në “Top Fest 3”), ajo është e vetëdijshme se në Shqipëri ka qenë më aktive se në Kosovë. Dhe kjo bindje nuk është krejt rastësore, pasi ka arritur në përfundimin se këtu zhvillohen kompeticione më cilësore se në Kosovë. “Barrierat në lidhje me festivalet mendoj se janë thyer shumë kohë më parë. Nuk ka ndonjë dallim të theksuar mes dy vendeve, por ajo që kam arritur të pikas, është fakti që atje ka organizimeve me nivel më të lartë, ka menaxhim dhe korrektesë në çdo kohë, faktorë këta që më kanë shtyrë të bëhem prezente disa herë. Por pas shpalljes së pavarësisë, si unë, ashtu dhe shumë kolegë të mi e dimë që i jemi borxhli vendit tonë, ndaj dhe aktivitetet më së shumti do t’i zhvillojmë këtu”, vijon ajo.

 

Në varësi të vlerësimeve apo hatërmbetjeve në radhët e artistëve kosovarë, ka edhe nga ata që tani marrin frymë të çliruar, pasi eksperiencat në Shqipëri ua kanë sjellë në majë të hundës. Teuta Kurti është njëra prej tyre. Madje, në një intervistë dhënë për një të përditshme kosovare, ajo ka thënë: “Më në fund këngëtarët kosovarë do të jenë pjesë e festivaleve të mëdha që do të organizohen atje dhe nuk do të jenë të detyruar që pranojnë “thikat pas shpine”, pre e të cilave kam qenë edhe unë në jo pak raste. Më vjen mirë që ia arritëm kësaj dite, ku do të kemi jo vetëm flamurin tonë, por edhe festivalet e koncertet “Made in Kosova”. Kjo më bën të mendoj se ardhjet e mia në Shqipëri këtej e tutje do të jenë tepër të rralla”.

 

Me të njëjtën ndjenjë entuziazmi u shpreh edhe këngëtarja tjetër, Flaka Krelani. Ndonëse e re në moshë, ajo numëron disa eksperienca të rëndësishme artistike. Një prej tyre është edhe festivali i fundvitit në RTSH, ku ajo u pozicionua vetëm një hap larg “Eurovizionit”. “Do të dëshiroja që brenda këtij viti të isha përfaqësuese e Kosovës në “Eurovizion”, por për fat të keq janë disa çështje teknike të mbetura pezull, që nuk më japin dot këtë shans. Jam zhgënjyer nga Tirana, ndaj çfarë më mbush me gëzim, është ideja që falë Zotit tani do të konkurroj si këngëtare kudo në botë për ngjyrat e flamurit tim”, pohoi Krelani.

 

Këngëtarët e mirënjohur që deri tani kanë preferuar të prezantohen në skenat e mëdha të festivaleve të organizuar jo vetëm në Shqipëri, por edhe gjetkë, e dinë se pas 17 shkurtit karriera e tyre do të devijojë kah Kosovës, ndërsa në Shqipëri do të dalin herë pas here me videoklipet e reja muzikore, duke u kthyer si gjithnjë në idhujt e shumë të rinjve. I tillë është edhe Vedat Ademi. Hiti i tij “Më mashtruan sytë”, pas publikimit në “Top Fest”, u kthye në këngën më të kërkuar të momentit. Por Vedati tashmë e ka vendosur që këtë kënaqësi t’ua japë edhe bashkatdhetarëve të tij në vendlindje. “Gjërat po ndryshojnë çdo ditë për mirë, që pas shpalljes së pavarësisë. Në fakt, edhe më përpara unë nuk kam pasur ndonjë faktor ndalues për t’u prezantuar edhe atje, edhe në Shqipëri. Dëshira ime ka qenë gjithnjë që të jap maksimumin në vendin tim, po atje këngëtarët janë më tepër të dhënë pas videoklipeve. Ndërsa në Tiranë zhvillohen festivale të bukura, por kjo nuk do të thotë që unë nuk do të këndoj në Kosovë. Sidomos tani, pasi jemi një shtet i ri, kam një motiv më shumë për të kënduar vetëm atje”, thotë Vedati.

 

Edhe për Genta Ismailin, të qenit këngëtare në shtetin e pavarur, aq shumë të ëndërruar nga të gjitha, është për të plotësimi i ëndrrës së madhe. Duke qenë një prej emrave më aktive në festivalet e zhvilluar këtu në Tiranë, si “Kënga magjike” apo “Top Fest”, ajo ka nisur të mendojë më seriozisht për të ardhmen e saj profesionale brenda kufijve të Kosovës. “Gjatë këtyre viteve kam qenë më tepër aktive në skenat e Shqipërisë, sepse këtu nuk ka festivale të mira. Por jam optimiste që në muajt në vazhdim do të ketë zhvillime të reja e interesante sa i takon muzikës, duke na krijuar më tepër hapësira e mundësi për të konkurruar këtu e jo në Tiranë”.

 

Duket se pjesa dërrmuese e këngëtarëve kosovarë kanë nisur që të ndryshojnë pikat në axhendat e tyre, pasi jo vetëm me festivale, por edhe me koncerte apo këngët live ata kanë vendosur të bëhen pjesë e Kosovës, duke lënë pas Shqipërinë, ku për vite të tëra ata kanë qenë mjaftueshëm aktivë. Tashmë ka ardhur koha që dhe ata t’i kthejnë borxhin Kosovës, ashtu siç u shpreh edhe këngëtarja e njohur, Nora Istrefi.

Leave a Comment

Please note: Comment moderation is enabled and may delay your comment. There is no need to resubmit your comment.