May 10

ciljetaTë gjithë e njohin si një mis, një këngëtare që vjen nga një skenë bukurie. Në të vërtetë, nuk është aspak e vërtetë. Çiljeta Xhilaga e pohon vetë, duke i shtuar edhe faktin që zanafilla e këtij pasioni gjendet që në fëmijërinë e saj. E “i rrëmbyem” disa minuta nga koha që ajo i kushton çdo ditë vetvetes në palestër në një bashkëbisedim për të zbuluar diçka më shumë rreth të rejave të saj më të fundit. Një javë më parë Çiljeta u vlerësua me çmimin “Best Female” në edicionin e pestë të “Top - Fest”-it. Kënga e saj titullohej “Dorëheqja” dhe si rrallë herë ajo është prezantuar me një këngë baladë. Performanca skenike ishte e veçantë, fakt i cili mbrohet me shumë siguri nga vetë këngëtarja në fjalë. Çiljeta flet për emocionet e saj pas këtij çmimi, marrëdhënien me të dashurin Romeon dhe mikeshën e ngushtë Ingrid Gjoni apo shumë sekrete të tjera të jetës së saj.

Në finalen e edicionit të “Top Fest 5″, u vlerësuat me një çmim, si ndiheni?

Mora atë që më donte zemra. Ndihem shumë mirë, shumë e lumtur me çmimin që mora dhe e vlerësuar njëkohësisht.

E prisje?

Edhe e prisja, edhe nuk e prisja.

Pse kaq e pasigurt?

E prisja se unë isha ndër më të votuarat dhe nuk prisja se konkurrimi ishte shumë i fortë.

Ku e shikonit që ju ishit ndër më të votuarat?

E shikoja tek mesazhet që unë shikoja çdo ditë në emisionin “Top Select”. E konstatoja këtë fakt se më këtë metodë rezultonin si më të votuarit unë Besa dhe Stine.

Po duke qenë kështu, si ka mundësi që Stine nuk mori çmim?

Nuk e di, atë natë ishte vendimi i jurisë, sa i përket ndarjes së çmimeve.

A kishit besim në dorën e jurisë?

Sigurisht që kisha besim. Ata të gjithë janë profesionistë dhe nuk do të kisha arsye për të kundërtën.

Ndihesh mirë me çmimin “Best Female”?

Po, ndihem shumë mirë. Duke marrë parasysh se konkurrimi ishte shumë i vështirë dhe të fitosh një çmim të parë midis atyre kandidaturave, për mua do të thotë shumë sepse këngët që performonin në atë grup ishin të gjitha me emër dhe këngëtare të mira. Gjithashtu edhe më këngë shumë të bukura.

Cilën prej tyre kishit më shumë “frikë”?

Besoj se Soni Malajn dhe Ingrid Gjonin.

Por ju triumfuat përballë tyre, çfarë mendoni se ju veçonte duke ju bërë edhe fituese?

Nuk e di, nuk e di. Nuk mund të bëj dot dallime.

Po diçka është apo jo?

Po mendoj se mund të jetë edhe paraqitja ime skenike, kënga e të gjitha së bashku më kanë dhënë këtë rezultat.

U vlerësuat si femra më e mirë, pse pikërisht këtë çmim dhe jo një titull tjetër?

Po mendoj se është kjo që sapo përmenda pak më lart. Një performancë e mirë, një luk i bukur, kënga po ashtu apo diçka tjetër që jurisë u është dukur më e arrirë, kanë bërë që unë të arrij të marr pikërisht këtë çmim.

Njiheni më shumë me këngë ritmike, prej të cilave keni marrë edhe shumë çmime. Kësaj here me baladë, pse?

Ka qëlluar, nuk është se e kam vendosur unë. Unë në fakt po përgatitesha për një videoklip, por koinçidoi që nuk e realizova dhe mendova të konkurroja në “Top Fest”. Rezultova e suksesshme dhe kjo më bën të ndihem akoma më e lumtur.

Çiljeta me fustan të gjatë, nuk ju kishim parë ndonjëherë…

(qesh) Po, në fakt kënga është një baladë dhe unë kurrsesi nuk mund të dilja me një fustan të shkurtër. Ruajta linjat e edicionit të parë në “Top Fest” dhe jam munduar që unë t’i përshtatem këngës dhe të isha më në brendësi të saj. Meqë kënga fliste për dasmat, synimi ishte të paraqitesha sa më thjesht, sa më bukur apo sa më engjëll, kur i thonë.

Qëndrojmë pak këtu. Mbaj mend që ka qenë edhe një herë tjetër që keni prezantuar një këngë baladë, që titullohet “Lamtumirë”, por në skenë ishit me mini…

Po, ajo është një baladë pak më alternative. Nuk ishte kaq e trishtuar, jo kaq e dhimbshme. Kënga “Lamtumirë” është lançuar me rastin e Shën Valentinit dhe kishte një tjetër episod, ishte diçka më ndryshe në përmbajtje dhe subjekt. Është pothuajse krejtësisht ndryshe këngës sime të fundit.

E kujt ishte ideja e këngës?

Kompozitori i këngës dhe orkestrimin e ka krijuar Flori Mumajesi, ndërsa tekstin Aida Bajraku.

Po për paraqitjen tuaj skenike kush është kujdesur?

Jam kujdesur vetë për të gjitha, ndërsa krahët e engjëllit ishin të porositura në Shkup. Koreografia ka qenë e Albi Nakos.

Na fol pak për këngën!

Është një tragjedi. Flet për një çift që tërheqin dasmën ditën e martesës, ashtu siç e thotë edhe vetë teksti, “një funeral në vend të kambanave të dasmave…” është diçka e trilluar, jo e përjetuar nga unë.

Keni marrë shumë çmime. Mendoni se keni përfituar më shumë nga bukuria?

Besoj se jo. Mendoj se ka ikur ajo koha kur njerëzit thoshin që Çiljeta e bukur, e bukur, sepse u bë kaq kohë që ata vetë e kanë parë që veç bukurisë që më ka falur natyra edhe kam punuar shumë. Dhe kjo besoj është vënë re më së miri në klipet që kam paraqitur, aq më tepër ku prurjet e mia sa vijnë dhe janë akoma edhe më rezultative. Këtë unë e cilësoj një rritje karriere dhe jo bukurie. Unë premisat i kam pasur që në këtë moshë. Kam kënduar live që në vitin 1999 në “Këngën Magjike”, në Pallatin e Pionierit, nëpër festivale të ndryshme, por unë thjeshtë e kam lënë mënjanë dhe fakti që unë jam njohur në fillim më shumë si miss ka bërë që të bjerë më shumë në sy bukuria sesa vlerat mia.

Po të mos ishte Çiljeta kaq e bukur, a do të ishte këngëtare?

Kaq e bukur? Nuk e di. Mund të them që bukuria më ka ndihmuar shumë. Por dua të shtoj se unë gjithmonë kam qenë e apasioniar pas muzikës edhe para se të identifikohem në skenë si bukuri. Unë para që se të njihesha si një miss, kam kënduar nëpër festivale të ndryshme. Pra, kam që në moshë të vogël që ngjitem në skena muzikore, si këngëtare. Bukuria pastaj në të gjithë botën po ndikon shumë sidomos shoubiznesi sot po ecën akoma edhe më shumë, përmendim këtu Britney Spears, Jennifer Lopez etj. Të kesh shumë bukuri dhe pak talent dhe vokal të mjaftueshëm për të kënduar, do të ecësh. Sigurisht edhe duke punuar me zërin për shumë kohë vetiu vjen një pjekuri e vokalit, interpretim të të kënduarit gradualisht.

Pak më lart ju thatë që bukuria ju ka ndihmuar shumë, por ajo është e përkohshme. Çfarë do të ndodhë kur të plakesh?

Unë nuk mendoj se bukuria është e përkohshme. Edhe kur je 50 vjeç mund të jesh e bukur, siç janë shumë femra duke filluar që nga Sofia Loren, etj. që janë shumë të mbajtura. Por kjo varet nga përkushtimi kundrejt vetes. Mund të jesh e bukur, mund të ruash talentin, por mbi të gjitha varet edhe se sa punon. Po dite të punosh, edhe më pak talent mund të bëhesh një divë.

Çiljeta një nuse, më jep një koment?

Nuk është hera e parë që unë vishem si nuse. Kjo është hera e dytë pas rastit të parë në vitin 2000 ku dhe jam cilësuar si modelja më e mirë.

Hera e tretë do jetë e vërteta?

Hera e tretë do jetë e vërteta.

Kur mendoni se do të jeni një nuse prej vërteti?

Se di, unë jam vetëm 23 vjeç dhe është edhe herët për ta menduar. Por për mua një ndër planet kryesore është familja. Dua të krijoj një familje timen, por kur të jetë koha e përshtatshme.

Si e imagjinoni familjen tuaj, meqë ra fjala?

E imagjinoj me një bashkëshort ideal dhe me jo më shumë se tre fëmijë. Do të më pëlqente të kisha dy binjakë dhe një fëmijë tjetër.

Si po ecën lidhja me Romeon? A e shikoni atë si bashkëshortin tuaj ideal?

Lidhja po ecën shumë mirë, po bëjmë tre vjet tashmë. Sa i përket pyetjes suaj, pse jo të mos jetë ai bashkëshorti im ideal, përderisa e kemi kaluar atë fazën më të vështirë të një lidhjeje që është pas një viti. Pas kësaj periudhe dashuria për njëri-tjetrin ka ardhur duke u rritur kështu që nuk i dihet. Veç kësaj mund të shtoj edhe faktin tjetër që zënkat tona nuk mund të zgjasin jo më shumë se 5 ditë dhe kthehemi tek njëri-tjetri shumë shpejt do të thotë shumë apo jo.

Zakonisht, cili prej jush është autori i zënkave?

Zakonisht jam unë ajo që gërricem e para gjithmonë. Ai është më serioz dhe i mbetet hatri më shpejt. Por pajtohemi shumë shpejt dhe hapin e parë e përgjithësisht e hedh ai që e ka fajin.

Mediat e kanë bërë shumë të madhe lidhjen tuaj me Ingrid Gjonin, çfarë ju lidh bashkë?

Është thjesht miqësi. Jemi shumë të kundërta dhe kuptohemi shumë mirë me njëra-tjetrën, qoftë edhe një shikim. Na bashkojnë po ashtu edhe bashkëpunimet, dueti në këngë, koncertet e përbashkëta. Kemi pasur shumë sukses të dyja bashkë dhe kjo e ka thelluar më tepër miqësinë tonë dhe atë familjare.

Meqë ra fjala, di që jeni duke bashkëpunuar për një këngë dhe klip të ri së bashku me Ingridin dhe di që titullohet “Puçi, Puçi”, si po ecni me të?

Deri tani mirë. Pritet të dalë në qershor, për shkak të kohës.

Çfarë është kjo këngë?

Është një këngë shumë ritmike. Bëhet fjalë për historinë e dy vajzave që duan të njëjtin djalë i cili “puç” (fjalë përkëdhelëse) herë njërën, herë tjetër. Dhe në fund që të dyja i vëmë shqelmin dhe nuk e duam fare (qesh).

Çiljeta, në çfarë viti jeni në shkollë?

Jam në vit të katërt dhe studioj për Shkenca Politike.

Pedagogët janë ankuar që nuk shkoni në shollë, kaq shumë jeni e angazhuar?

Në fakt këtë vit edhe unë ia kam varur pak shkollës, sinqerisht për shkak të shumë impenjimeve. Por besoj se do të shtyhet pak diploma për shkak të provimeve, por që kjo nuk përbën ndonjë problem. E rëndësishme është që diplomën ta marr me nota të mira dhe jo me pesa apo me shtata.

Sa lëndë të mbartura keni?

Shtatë. Por tek shkolla ime stazhi nuk funksionon më dhe unë mund t’i shtyj provimet deri në afatin që unë dua dhe të marr diplomën atëherë kur të shlyej provimet që kam për të dhënë.

Më mirë dy orë më shumë leksione dhe më pak këngë apo anasjelltas?

Për momentin më nevojitet më shumë këngë dhe pak leksion, sepse është koha më adapte për mua dhe është kulmi im i karrierës, të cilin nuk mundem ta humbas. Unë nuk mund të jem më 23 vjeç, ndërsa dy orë leksion mund t’i bëj edhe pas dy-tre vjetësh. Shkollën mund ta bëj atëherë kur nuk jam e ndikuar nga familja duke ma përsëritur shpesh herë, kur e kam mbledhur mendjen, kur nuk jam e ndikuar nga opinioni i të tjerëve që duhet të mbaroj se s’bën një shkollë, dhe atëherë kur unë vërtetë e kam të nevojshme të studioj me dëshirë në një degë të caktuar se sa me obligimin. Shkolla pret, ndërsa karriera jo, nuk mund ta bëj atë pas shumë vitesh. Sigurisht që unë nuk do të rri edhe gjatë kësaj kohe, por mendoj të studioj shumë, bashkë me shumë gjuhë të huaja.

Apr 26

ciljeta,ingrid gjoniDisko “New Calvin” të shtunën e kaluar kishte të ftuara speciale këngëtaret Çiljeta dhe Ingrid Gjoni. Vajzat kanë ekzaltuar diskon me performancat e tyre dhe me veshjet supermini të cilat padyshim që kanë bërë të lumtur klientelën meshkuj. Vajzat kanë kënduar deri në orët e para të mengjesit në një disko të mbushur plot e përlot me njerëz. Nuk diskutorhet që kjo ëhstë një periudhë e artë për Çiljetën edhe Ingridin të cilat mbeten gjithnjë në qendër të vemendjen për jetën e tyre artistike por edhe për atë jashtë këngës. Që të dyja nuk mungojnë në të gjitha kompeticionet artistike, por edhe nëpër koncerte dhe spektakle të ndryshme. Kjo është arsyeja që dy vajzat janë gjithmonë prezente në faqet e gazetës tonë.

 

Marre nga PanoromaPlus