Mar 26

Olta Boka“Nëse dëgjon këngën, beson se Shqipëria është një vend i tmerrshëm për të jetuar”. “Ngjan si Celine Dion e pushtuar nga shpirtrat e këqinj”.

 

Teksa ditët e Festivalit Europian po afrohen, nisin të shtohen komentet për këngët dhe përfaqësuesit e vendeve të ndryshme të Europës që do të përleshen sivjet në maj në Beograd për të treguar se sa vende të bukura dhe me muzikë magjepsëse janë ato. Pas kritikave të shumta për herë të parë edhe brenda vendit, kënga që do të përfaqësojë Shqipërinë, për të disatin vit radhazi një krijim i po të njëjtëve autorë që vazhdojnë të dështojnë dhe që përsëri këmbëngulin që ta provojnë prapë, kënga ka nisur të zgjojë perceptime të urryera edhe për veshët e të huajve që e dëgjojnë atë. Shtypi britanik është sigurisht në krye të listës, mbase për shkak edhe të lirshmërisë me të cilën atje flitet për gjithçka, larg lëvdatave hipokrite për të cilat mban kupën e kryesimit sidomos media shqiptare. Si çdo vit, hecklerspray.com i kushton një vend të posaçëm dashurisë kombëtare të anglezëve, basteve. Bastet për këngët e Eurovizion shoqërohen me komente që ndihmojnë publikun të gjykojë më me objektivitet. Këtë vit kënga shqiptare kuotohet me koefiçientin vdekjeprurës 33:1, shanse vërtet të paarritshme. Ndërsa komenti që e shoqëron duke shprehur edhe pershtypjen që kjo këngë lë për një publik me shije lidershipi  muzikor, është ky i mëposhtmi:

 

“Ne nuk themi se këngët e Eurovizionit janë një reflektim i vendit që i prodhon ato, kryesisht për shkak të gjërave monstruoze që mund të thuheshin për Britaninë e Madhe, por nëse kjo do të ishte e vërtetë atëherë Shqipëria duhet të jetë një vend i tmerrshëm për të jetuar. Për vite me radhë, kënga konkurruese e Shqipërisë vazhdon të jetë një baladë mizerabël dhe kjo traditë po vazhdon me “Zemrën e Lamë Peng” që pak a shumë përkthehet si “Zemrën e lamë në bixhoz”. E shkruar në mënyrë të pashpresë, ajo përmban vargje si “Bora e zërit tënd, mbi zemrën time ra dhe mbuloi strehën e fundit të dashurisë”, të cilat tingëllojnë sikur Celine Dion të jetë pushtuar nga shpirtrat e këqinj dhe të jetë duke folur përçart në gjuhë të panjohura. Kjo duket se është mënyra e Olta Bokës për t’i deklaruar popullatës mashkullore të botës se nëse bëni gabimin që t’i hidhni në lavatriçe rrobat e palara pa i palosur ato më parë, atëherë ajo do të dalë në mes të shiut, do të bjerë në gjunjë dhe do t’ia plasë të qarit duke i lëshuar mallkime qiellit. Dhe jo në mënyrë dinjitoze ama. Nëse së paku një shqiptar nuk kryen vetvrasje për shkak të  “Zemrën e lamë peng” gjer në Krishtlindje, atëherë kjo do të ishte një surprizë e paparë”.

Mar 21

Olta BokaTashmë çdo detaj është përcaktuar për prezantimin e Shqipërisë në Eurovizion. Materialet sapo janë dërguar në Beograd. Olta Boka, 16-vjeçarja që rrëmbeu çmimin e parë të Festivalit të RTSH-së, do të këndojë shqip në Arenën e Beogradit. Organizatorët kanë vendosur që kënga “Zemrën e lamë peng”, me tekst të Pandi Laços, kompozuar dhe orkestruar nga Adrian Hila, tingëllon më mirë shqip. Olta, konkurrentja më e vogël e Eurovizion, do të shoqërohet në prezantimin e saj nga tri artistë të rinj, ndërkohë që edhe veshja e saj është zgjedhur. Drejtoresha e Radio Tiranës dhe e Festivalit të RTSH-së, Zamira Koleci, në intervistën e mëposhtme na tregon të gjitha detajet.
Sapo jeni kthyer nga Beogradi. Cilat ishin disa nga detajet e diskutuara?
Mbledhja e Beogradit është një mbledhje rutinë. Para se të fillojë festivali takohen kryetarët e delegacioneve me përfaqësuesit e EBU-së dhe me organizatorët, konkretisht Radiotelevizioni publik serb. U bë një rezyme e të gjitha aktiviteteve që do të jenë në ditët e festivalit. Të gjitha detajet, duke nisur që nga provat, orët në të cilat do të zhvillohen, vendosja e delegacioneve, janë të përcaktuara me saktësi. Ne dorëzuam të gjitha materialet që kemi përgatitur dhe që janë të domosdoshme për prezantimin tonë në Eurovizion, si baza muzikore, videoklipi, CD-të, kontrata dhe dokumente të tjera ligjore. Njëkohësisht, dëgjuam edhe kërkesat e tyre se si do të vendoset këngëtarja në skenë dhe sa veta duhet ta shoqërojnë atë.
Meqenëse tashmë detajet janë përcaktuar, si do të prezantohet Olta Boka në Eurovizion?
Sivjet ne kemi vendosur që këngëtarja të shoqërohet me tre artistë të rinj, një vajzë dhe dy djem. Janë dy kitarist dhe një baterist. Fatmirësisht ishim më të rregulltit për materialet që dorëzuam dhe nuk patëm probleme të mosecurisë së punëve.
Do të ketë elementë koreografikë?
Nuk ka ndonjë koreografi të menduar apo të realizuar më parë. Tre artistët e rinj (dy të kitarës dhe i baterisë) do të jenë vendosur pas Oltës. Ka dhe një ide tjetër që po e zhvillojmë për të shtuar edhe diçka tjetër, por akoma nuk është vendosur gjë. Kemi dhe nja 10 ditë kohë për të bërë ndryshime.
Një pjesë të rëndësishme në prezantim përbën edhe veshja. Me çfarë ngjyre do të jetë veshur këngëtarja?
Olta është e veshur me një ngjyrë të gjelbër e kombinuar me të bardhë dhe do t’i mbajë flokët lëshuar. Një veshje pak a shumë klasike dhe me stil paksa hyjnore. Po kështu, do të jenë të veshur djemtë dhe vajza që e shoqëron.
Është bërë përshtatja e këngës në anglisht?
Kënga do të këndohet shqip. Përgjithësisht tekstet tona janë paksa me metafora, nënkuptime dhe frazeologji shqiptare, që nuk tingëllojnë mirë në anglisht dhe janë të vështira për t’u kuptuar nga të huajt. Edhe vjet e vuajtëm këtë gjë. Menduam se ndoshta ishte më mirë ta këndonim shqip.
Nuk ka të bëjë me një ndjenjë nacionaliste, nisur nga fakti që festivali bëhet në Beograd?
Ka qenë më shumë një vendim që e morëm për prezantimin më të mirë të këngës. Ne e kemi edhe versionin e përkthyer, por nuk është shumë poetike. Edhe autorët e këngës nuk ishin shumë entuziast për versionin anglisht, kështu që vendosëm të këndohej shqip.
Ju thatë që është dërguar dhe baza muzikore. Janë bërë ndryshime në të?
Në vija të përgjithshme është e njëjta këngë. Bazës muzikore i është shtuar një lajtmotiv me kitarë, duke e ndryshuar pak. Është e gjatë 3 minuta dhe ne shpresojmë që është bërë më e bukur.
Kur do të jetë udhëtimi i parë drejt Beogradit?
Grupi shqiptar mbërrin atje në datën 12 maj dhe më 13 maj fillojnë provat. Këtë vit do të ketë dy gjysmëfinale, e para në datën 20 dhe e dyta në datën 22, kur është dhe shfaqja jonë. Më 24 maj është finalja. Le të shpresojmë që të kualifikohemi. Olta Boka ishte këngëtarja më e re në konkurrim. Ndërkohë që u përcaktua edhe radha e konkurrimit. Nga 43 vendet pjesëmarrëse, 5 prej tyre (Serbia, Franca, Gjermania, Anglia, Spanja) janë të kualifikuara automatikisht në finale. Ndërkohë që nga 38 vendet e tjera, 19 në të dyja netët gjysmëfinale, do të përzgjidhen 20 për të vazhduar konkurrimin. Ne jemi të gjashtët në konkurrim në datën 22 maj, ndërsa vendi ynë është i 7-ti në radhën e jurive vlerësuese.
Për këngën është realizuar edhe një videoklip. Si është ideuar, ku janë bërë xhirimet…
Videoklipi është xhiruar në Shqipëri. Si lajtmotiv ka një zemër, sepse edhe vet titulli i këngës është i tillë. Duket sikur Olta del nga kjo zemër dhe një grup të rinjsh e shoqërojnë me lëvizje të caktuara. E gjitha është xhiruar në Pallatin e Kongreseve. Është një videoklip interesant. Transmetimin e tij do ta fillojmë që të hënën, meqenëse kjo javë ka gjurmë të dhimbjes, të cilat sigurisht që do të jenë edhe për shumë kohë. Videoklipi do të jetë i pranishëm kohë pas kohe në ekran.
Në gjithë këto vite ka pasur probleme për promovimin e këngës shqiptare. Si do të veprohet sivjet?
Kemi planifikuar që të bëjmë promovim, por gjithmonë brenda rajonit dhe jo në vende të largëta. Të tilla janë kushtet tona. Por që tani kanë filluar kërkesat për DVD-të dhe CD-të, sepse shumë stacione televizive dhe stacione radiofonike duan ta transmetojnë këngën. Do të fillojmë menjëherë shpërndarjen me postë të rreth 1000 DVD-ve dhe CD-ve.
Ju e patë skenën e festivalit?
E pamë. Ishte Arena e Beogradit, në qendër të qytetit. Një skenë pothuajse e ngjashme me atë të Helsinkit. Vetëm me atë mund ta krahasoj, se e kam parë nga afër. Sigurisht që kjo skenë do të transformohet për netët e konkurrimit. U njohëm jo vetëm me skenën, por edhe me vendet ku do të rrimë, zyrat e kryetarëve të delegacioneve, ku do bëhet tualeti i këngëtarëve, ku do të jetë dhoma gri në pritje të vlerësimeve etj.
Duke marrë parasysh situatën në Serbi, a do ketë siguri për grupin shqiptar në Eurosong?
Një pjesë e veçantë e mbledhjes iu kushtua sigurisë. Dihet që Serbia tani për tani është pak problematik si vend. Gjatë kësaj vizite na pritën shumë mirë. Ne shkojmë një ditë pas zgjedhjeve në Serbi dhe është një situatë delikate. EBU-ja ka marrë siguri nga presidenti se gjithçka do të shkojë mirë. Ne ndoshta do të kemi një mbrojtje më të veçantë se të tjerët.
Pak kohë më parë gazetat serbe aluduan për anulim të Eurosongut në Beograd. Ka shqe-tësime të tilla?
Ishte absolutisht problem gazetash. Nuk ishte diskutuar asnjëherë që festivali të mos bëhej. Organizimi filloi me vonesë, por ky festival është përgjegjësi e madhe e çdo vendi dhe mendoj se askush nuk do që t’i prishet ky imazh.
Gjithnjë e më shumë janë rritur akuzat për votim politik në Eurovizion. Ka ndonjë ndryshim këtë vit?
Vjet është thënë se do të diskutohej, por nuk u fol fare për të. Me sa duket kjo histori do të vazhdojë.

Mar 20

olta bokaKengetare dhe artiste te ndryshem ne Shqiperi u sensibilizuan keto diten dhe deshen te dhurojne gjak per te lenduarit e Gerdecit. Ja disa deshmi prej tyre

 

Nëse këngëtari Andi Shkoza, i aksidentuar në tragjedinë e Gërdecit, do të kishte nevojë për një transfuzion gjaku, shumë prej kolegëve të tij me siguri që do t’i gjendeshin pranë. Por jo vetëm!

 

Ndonëse nuk është këngëtare, “Miss Shqipëria 2005”, Edlira Mema, duke e pasur grupin e gjakut “0 pozitiv”, është në gjendje që t’u dhurojë gjak gjithë personave në nevojë, e këtu nuk bën përjashtim as Andi. Para dy ditësh, e shtyrë nga ndjenja e humanizimit, 20-vjeçarja iu drejtua një qendre spitalore këtu në kryeqytet, me dëshirën e mirë për të qenë sadopak e dobishme në gjithë këtë situatë të rëndë. “Dëgjoja çdo ditë në televizor thirrjen për të dhuruar gjak dhe nga kjo më bëri të mendoj se dhe unë duhet të bashkohem me këta njerëz të pafajshëm. Por, duke qenë se unë kam bërë një tatuazh, e kisha të ndaluar që të bëja transfuzion dhe më erdhi vërtet keq që u ktheva në shtëpi pa dhënë edhe unë ndihmesën time”, thotë për gazetën “Korrieri” Edlira Mema.

 

Ashtu si dhe fituesja e çmimit të parë në edicionin e 46-të të Këngës në RTSH, Olta Boka, me grupin e gjakut “A pozitiv”, por ajo e ka të pamundur që të jetë dhuruese në këtë moshë. “Duke qenë se unë jam 16 vjeçe, nuk më lejohet që të jap gjak, sepse me aq sa unë jam informuar, nën moshën 18-vjeçare nuk lejohet që të bëhet transfuzion. Kjo do të thotë që deri më tani unë nuk kam bërë asnjëherë një të tillë, madje edhe kur e kam parë si diçka të nevojshme. P.sh., tragjedia e fundit ishte vërtet e rëndë, por pavarësisht dëshirës, e pata të pamundur që të dhuroja gjak”, pohon Olta.

 

Edhe bashkëmoshatarja tjetër e saj, Greta Koçi, deri më tani nuk ka provuar kurrë që të dhurojë gjak, sepse mosha e vogël nuk ia lejon këtë gjë. Grupi i saj është “A plus”, por deri më tani këngëtarja e suksesshme nuk ka pasur të nevojshme as dhurimin dhe as marrjen e gjakut. 

 

Këngëtarja simpatike Orinda Huta është gjithë e gatshme për të qenë pranë njerëzve që kanë nevojë për gjak. “Grupi im është “A pozitiv” dhe të dielën unë u drejtova tek spitali i QSUT-së për të dhuruar gjak. Po ishte krejtësisht e pamundur që të depërtoja, pasi kishte goxha radhë. Kam qëndruar për tri orë me radhë e nuk munda të hyja dot. Kjo ishte hera ime e dytë që doja të isha dhuruese, pas një herë tjetër që mbaj mend ndodhi në gjimnaz, kur vinin mjekë nëpër shkolla për të marrë kampione gjaku”, thotë Orinda.

 

Ndërsa këngëtares Anjeza Branka sa herë i përmend nocionin e gjakut, ajo bie në gjendje të fikëti. “Grupi im është “0 pozitiv”, por edhe pse quhem dhuruese, sërish më mungon vullneti që të dhuroj gjak, pasi e kam tejet të vështirë. Nuk kam menduar kurrë që të bëj transfuzion e këtë nuk do ta bëj asnjëherë”, shprehet me bindje ajo.

 

Shumë personazhe të njohur kanë shfaqur interes krejt rastësisht për të mësuar grupin e gjakut, edhe pa qenë e nevojshme për të marrë apo dhuruar. “Sepse sa më shumë e informuar, aq më mirë është jo vetëm për mua, por për të gjithë njerëzit”, përfundon kështu këngëtarja Anjeza Branka.

Marre nga Panoroma