Feb 25

Në qoftë se ndonjëri prej jush ka ndërmend të hedhë në treg një album dhe kërkon rrugën më të lehtë drejt suksesit, duhet të ndjekë shembullin e bukurosheve që kanë kapur majat e suksesit, falë performancës së tyre. Nuk mund të ndodhë ndryshe: për të qenë i suksesshëm duhet të zhvishesh sa më tepër, të zbulosh paksa nga hiret që nëna natyrë u ka falur.

 

Në krye të listës qëndron këngëtarja Nora Istrefi me videoklipin “Mos më lër!”. Edhe pse kënga është prezantuar prej një kohe të gjatë, ajo vijon të jetë më e dëgjuara, çka i atribuohet videos tepër seksi dhe veshjeve ekstravagante të këngëtares. Ndonëse është gjithë kohën në lëvizje, Nora nuk harron kurrë që të merret me veten, duke pasur kështu linja perfekte dhe një luk për t’u pasur zili. “Mbajtja e trupit në formë kërkon një energji dhe kujdes koherent. Por unë ndoshta kam pasur fatin që jam për nga natyra energjike dhe disponoj një imazh natyral, i cili reflekton freski edhe në lukun tim”, përfundon këngëtarja kosovare. Nuk ia ndjen se çfarë mendojnë njerëzit në lidhje me performancat e saj muzikore. Për momentin Nora ka preferuar të ndjekë një tur të tërë, ku njëkohësisht ka dhënë koncerte dhe është marrë me përgatitjet për albumin e tretë që do të dalë brenda qershorit në treg. Albumi do të përmbajë larmi zhanresh muzikore dhe bashkëpunimesh, që këngëtarja preferon t’i mbajë sekret. Ndërkaq, një vend më poshtë pozicionohet Rozana Radi me klipin e saj të fundit “Jolie mambo”. Performanca e saj në rolin e shtojzovalles ka bërë që klipi të dëgjohet dhe pëlqehet nga masa e gjerë. Edhe pse s’ka fabul të përcaktuar, larmia e ngjyrave për t’u përshtatur me mambon, ka mundësuar që ta shohim këngëtaren në një version jashtëzakonisht sensual. Vetë Rozi shprehet se ka dashur të sfidojë këngëtaret e tjera që shpeshherë dalin pothuajse zhveshur. Mesa duket, eksperimenti i ka dalë shumë frytdhënës, duke qenë se “Jolie mambo” është kthyer në këngën më të dashur për shumë nga ne. Ndërkaq, rikthimi i Ingrid Gjonit në skenë sërish me një imazh seksi, ka bërë që klipi i saj më i ri me titull “Vitamina”, të pëlqehet shumë. Deri tani ishte treguar e kujdesshme në daljet e saj mediatike. Në faqet e gazetave dhe revistave, prej një kohe të gjatë Ingrid Gjoni kishte refuzuar të dilte me imazhin e një femre seksi. Ndërsa tashmë, ajo është rikthyer sërish në vajzën e kopertinave të dikurshme, por më të pjekur, më të matur dhe natyrisht më të afirmuar. Prej disa kohësh në ekranet tona po qarkullon videoklipi më i ri këngëtares, i titulluar “Vitamina”, ndërsa gazetat dhe revistat e para kanë nisur të publikojnë foto. Një tjetër imazh, ku këtë radhë ajo ka preferuar flokët e krehura, ku në sfondin e bardhë spikat lakuriqësia e një dekolteje provokuese. Nëse qëllimi i këngëtares ka qenë që ta surprizojë publikun, këtë radhë ia ka arritur realisht. Bëhet fjalë për një këngë të re që u përket ritmeve regaton dhe vjen e kompozuar nga Adi Hila, mbi vargjet e Rozana Radit. Kënga “Vitamina” vjen në tregun muzikor pas këngës “Barbie silicon”, ndërsa mësojmë se Ingridi është duke përgatitur edhe një tjetër videoklip. Ndoshta e ka marrë seriozisht këtë vit. Këtij hit-parade nuk mund t’i mungonte Çiljeta, e cila edhe pse ka shtuar disa kile më tepër, vijon të pëlqehet edhe më tepër. Nëse mendoni se Çili është e fiksuar pas elegancës, e keni gabim. Ajo nuk e ka aspak problem që kohët e fundit ka shtuar disa kile. Madje beson se kështu duket më seksi. Në fakt, jo se Çiljetës i ka munguar ky element, gjithmonë i vënë në dukje nga dekolteja e saj, por ndoshta se këtë radhë seksi nuk e bën të duket vetëm gjoksi. Ndërsa shumë prej këngëtareve i kanë problem kilet e tepërta, Çilin ky fakt nuk e bën aspak të mendojë. Përkundrazi, tashmë këngëtarja nuk ngurron të nxjerrë në pah edhe vithet, që me disa kile më shumë, duket se e bëjnë më të preferuar. Videoklipi i këngës “Falma” nuk ka nevojë për laps e letër, pasi ekzibicionet seksi të këngëtares flasin më shumë se vetë fjalët. Këngëtarja e radhës është Zajmina Vasjari, që vjen gjithnjë me një performancë vërtet joshëse. Në kripin më të fundit të saj, “Chupa-chupa”, si gjithnjë ajo ka preferuar ta ekzagjerojë me pamjen e saj seksi. Një tjetër emër i muzikës moderne shqiptare që zgjedh të prezantohet me klipe të nxehta është edhe Zanfina Ismaili, që falë performancave të tilla duket se ka lënë pas edhe motrën e saj, Adelinën. Vetëm pak ditë më parë ka hedhur në treg një klip të ri, ku sjell një imazh shumë tërheqës dhe seksi. Klipi është xhiruar në Maqedoni, në bashkëpunim me Florian Mumajesin. Klipet e këngëve të Zanfinës dallohen qartë për doza të mëdha feminiliteti, çka shihet qartë në disa nga klipet e saj. Një gjë të tillë e pohon edhe vetë këngëtarja: “Nuk mund ta mohoj që në këngët e mëparshme të miat kam dashur të shfaq anën tjetër të karakterit të femrës, fuqinë e brendshme të saj, moskokëçarjen për asnjë arsyeje në botë, pamposhtmërinë përpara asnjë mashkulli. Kjo ka bërë që këngët e mia të kenë doza të mëdha feminiliteti dhe kjo dallohet në këngën “Ti s’do t’ia dish”, “Partizani i vogël”, “As i fundit as i pari” etj. Ndërsa në klipin më të fundit, të cilin jam duke e përgatitur, kam menduar që të ndërroj stil, por këtë herë në tekstin e këngës është vajza ajo që kërkon dashuri, sepse mashkulli me të cilin ajo jeton është mendjemadh dhe indiferent”, vazhdon ajo.

Marre nga Korrieri

Feb 24

Kengetaret Kosovare thone se me ne fund do te konkurrojne ne festivalet e tyre duke e braktisur dalengadale festivalin e RTSH

 

Pas shpalljes së pavarësisë dhe krijimit të shtetit më të ri në Ballkan, një erë e re duket se po fryn edhe për këngëtarët e mirënjohur kosovarë. Ata kanë nisur t’i përqendrojnë aktivitetet e tyre në Kosovë, duke lënë të kuptohet fakti se pas 17 shkurtit, ata do të marrin pjesë nëpër festivalet e organizuara në Shqipëri vetëm përmes ftesave speciale. “Shumë gjëra kanë nisur të ndryshojnë për mirë dhe unë jam e vetëdijshme që edhe në muzikë do të ketë risi. Mendoj se këtej e tutje do të zhvillohen një numër më i madh spektaklesh e festivalesh, e për ne këngëtarët është obligim që të marrim pjesë në to, tashmë si përfaqësuesit e flamurit kosovar”, thotë për “Korrierin” këngëtarja e njohur Nora Istrefi. Ndonëse prezantimi i saj tek publiku tiranas ka qenë në një intensitet të vogël, (kujtojmë pjesëmarrjen në “Top Fest 3”), ajo është e vetëdijshme se në Shqipëri ka qenë më aktive se në Kosovë. Dhe kjo bindje nuk është krejt rastësore, pasi ka arritur në përfundimin se këtu zhvillohen kompeticione më cilësore se në Kosovë. “Barrierat në lidhje me festivalet mendoj se janë thyer shumë kohë më parë. Nuk ka ndonjë dallim të theksuar mes dy vendeve, por ajo që kam arritur të pikas, është fakti që atje ka organizimeve me nivel më të lartë, ka menaxhim dhe korrektesë në çdo kohë, faktorë këta që më kanë shtyrë të bëhem prezente disa herë. Por pas shpalljes së pavarësisë, si unë, ashtu dhe shumë kolegë të mi e dimë që i jemi borxhli vendit tonë, ndaj dhe aktivitetet më së shumti do t’i zhvillojmë këtu”, vijon ajo.

 

Në varësi të vlerësimeve apo hatërmbetjeve në radhët e artistëve kosovarë, ka edhe nga ata që tani marrin frymë të çliruar, pasi eksperiencat në Shqipëri ua kanë sjellë në majë të hundës. Teuta Kurti është njëra prej tyre. Madje, në një intervistë dhënë për një të përditshme kosovare, ajo ka thënë: “Më në fund këngëtarët kosovarë do të jenë pjesë e festivaleve të mëdha që do të organizohen atje dhe nuk do të jenë të detyruar që pranojnë “thikat pas shpine”, pre e të cilave kam qenë edhe unë në jo pak raste. Më vjen mirë që ia arritëm kësaj dite, ku do të kemi jo vetëm flamurin tonë, por edhe festivalet e koncertet “Made in Kosova”. Kjo më bën të mendoj se ardhjet e mia në Shqipëri këtej e tutje do të jenë tepër të rralla”.

 

Me të njëjtën ndjenjë entuziazmi u shpreh edhe këngëtarja tjetër, Flaka Krelani. Ndonëse e re në moshë, ajo numëron disa eksperienca të rëndësishme artistike. Një prej tyre është edhe festivali i fundvitit në RTSH, ku ajo u pozicionua vetëm një hap larg “Eurovizionit”. “Do të dëshiroja që brenda këtij viti të isha përfaqësuese e Kosovës në “Eurovizion”, por për fat të keq janë disa çështje teknike të mbetura pezull, që nuk më japin dot këtë shans. Jam zhgënjyer nga Tirana, ndaj çfarë më mbush me gëzim, është ideja që falë Zotit tani do të konkurroj si këngëtare kudo në botë për ngjyrat e flamurit tim”, pohoi Krelani.

 

Këngëtarët e mirënjohur që deri tani kanë preferuar të prezantohen në skenat e mëdha të festivaleve të organizuar jo vetëm në Shqipëri, por edhe gjetkë, e dinë se pas 17 shkurtit karriera e tyre do të devijojë kah Kosovës, ndërsa në Shqipëri do të dalin herë pas here me videoklipet e reja muzikore, duke u kthyer si gjithnjë në idhujt e shumë të rinjve. I tillë është edhe Vedat Ademi. Hiti i tij “Më mashtruan sytë”, pas publikimit në “Top Fest”, u kthye në këngën më të kërkuar të momentit. Por Vedati tashmë e ka vendosur që këtë kënaqësi t’ua japë edhe bashkatdhetarëve të tij në vendlindje. “Gjërat po ndryshojnë çdo ditë për mirë, që pas shpalljes së pavarësisë. Në fakt, edhe më përpara unë nuk kam pasur ndonjë faktor ndalues për t’u prezantuar edhe atje, edhe në Shqipëri. Dëshira ime ka qenë gjithnjë që të jap maksimumin në vendin tim, po atje këngëtarët janë më tepër të dhënë pas videoklipeve. Ndërsa në Tiranë zhvillohen festivale të bukura, por kjo nuk do të thotë që unë nuk do të këndoj në Kosovë. Sidomos tani, pasi jemi një shtet i ri, kam një motiv më shumë për të kënduar vetëm atje”, thotë Vedati.

 

Edhe për Genta Ismailin, të qenit këngëtare në shtetin e pavarur, aq shumë të ëndërruar nga të gjitha, është për të plotësimi i ëndrrës së madhe. Duke qenë një prej emrave më aktive në festivalet e zhvilluar këtu në Tiranë, si “Kënga magjike” apo “Top Fest”, ajo ka nisur të mendojë më seriozisht për të ardhmen e saj profesionale brenda kufijve të Kosovës. “Gjatë këtyre viteve kam qenë më tepër aktive në skenat e Shqipërisë, sepse këtu nuk ka festivale të mira. Por jam optimiste që në muajt në vazhdim do të ketë zhvillime të reja e interesante sa i takon muzikës, duke na krijuar më tepër hapësira e mundësi për të konkurruar këtu e jo në Tiranë”.

 

Duket se pjesa dërrmuese e këngëtarëve kosovarë kanë nisur që të ndryshojnë pikat në axhendat e tyre, pasi jo vetëm me festivale, por edhe me koncerte apo këngët live ata kanë vendosur të bëhen pjesë e Kosovës, duke lënë pas Shqipërinë, ku për vite të tëra ata kanë qenë mjaftueshëm aktivë. Tashmë ka ardhur koha që dhe ata t’i kthejnë borxhin Kosovës, ashtu siç u shpreh edhe këngëtarja e njohur, Nora Istrefi.