Feb 11

Gjithmonë i respektueshëm dhe i thjeshtë, këngëtari i madh i muzikës popullore shkodrane dhe shqiptare Bujar Qamili, tregon jo vetëm fillimet dhe njerëzit me të cilët ka bashkëpunuar, por edhe sukseset dhe mendimet e tij për këngën popullore. Bujari është i gëzuar edhe për djalin e tij, i cili është një profesor i shkollës muzikës në Shkodër dhe kritikon momentin jo të mirë të mungesës së kompozimit të këngëve të reja popullore shkodrane. Bujari deklaron se “këngëtari duhet të këndojë këngë nga çdo trevë e Shqipërisë”.

 

Pyetjes së parë mbi fillimet e tij në këngë dhe botën e artit, Bujari i përgjigjet me shumë emocion dhe respekt për të kaluarën. Ai thotë se: “Unë me të vërtetë sot mund të kem arritur shumë, por unë nuk harroj kurrë që ti hedhë sytë edhe nga e kaluara. Unë kam qenë rreth 14-15 vjeç thotë Bujari, kur kam filluar me klubin e rinisë “Heronjtë e Vigut” i cili ka qenë mbështetja kryesore jo vetëm te unë, por edhe te këngëtarë të tjerë me shumë emër. Aty kanë qenë Justina Alija, Tonin Tërshana, Sherif Merdani, Bashkim Alibali apo muzikantët të cilët këtë klub rinie, e bënin një epiqendër të artistëve me një drejtor të shkëlqyer Zef Bushatin dhe regjisor të ndjerin Hilmi Tukaj. Por unë kam vazhduar të këndoj edhe në fabrikën e Duhan – Cigareve dhe e ndjeva veten mirë, sepse aty ishte Gëzim Kruja. Prej aty më thirrën në shtëpinë e kulturës “Vasil Shanto” dhe aty fillova pak e nga pak, të këndoj këngën popullore shkodrane. Unë dua me këtë rast të përmend muzikantin e madh shkodran Nazmi Lishi, i cili me siguri duke parë vlerat e vokalit tim dhe interesin që unë kisha për këngën popullore shqiptare dhe veçanërisht atë shkodrane, mori përsipër të bënte një recital”, tregon këngëtari shkodran. Në këtë rast kam pasur edhe ndihmën e madhe të drejtorit të asaj kohe Bashkim Alibali. Koncerti i parë recital shkoi jashtëzakonisht mirë dhe bëra edhe një turne nëpër Shqipëri dhe aty ndjeva një kënaqësi të madhe duke menduar “se po bahem dikushi”, shton ai. Mbas këtij recitali më propozuan të bëjmë të dytin dhe unë kisha problem repertorin. Gjithsesi kjo punë kaloi lehtë tregon Bujari, sepse repertori kryesor ishte kënga popullore shkodrane. Mbas këtyre koncerteve recital, mua më vjen ftesa nga një institucion profesionist, në të cilin shumë këngëtarë kishin zili vetëm të hynin në sallë dhe ky është teatri “Migjeni”. “Unë fillova me estradën në shumë premiera dhe tanimë e ndjeva veten profesionist dhe kjo sepse unë në këtë estradë profesioniste, kam gjetur një elitë artistësh kaq të mëdhenj dhe kaq të fuqishëm sa që unë sot, vazhdoj të jem korrekt me të gjitha aspektet ku bëhet një koncert apo jepet një shfaqe”, pohon këngëtari shkodran. Bujari me shumë respekt tregon se në estradë ka gjetur Tano Banushin e madh, Paulin Prekën, “kam gjetur madhështoren Zyli Milotin, kam gjetur artistin e madh Zef Deda”, Jolanda Shalën, Drande Xhain, dhe them vazhdon këngëtari Qamili të pyes: Si mundet me këto njerëz të mos fitosh një edukatë pune dhe profesioni, të jashtëzakonshme? Unë kam shkuar në vitet 80-të në estradë dhe kam vazhduar deri në 92-shin e këto janë fillimet e mia në muzikë dhe jetën profesionale në këtë drejtim, shprehet i mirënjohuri Bujar Qamili. Pastaj ai tregon edhe për djalin e tij muzikant, i cili ka mbaruar liceun në Shkodër, dhe duke pasur edhe “veshin e thyer” sikundër thotë ai, u përgatit të konkurrojë në Tiranë. “Artijoni në konkurrim doli shumë mirë dhe vazhdoi studimet duke mbaruar vitin e parë dhe vitet e tjera, duke u diplomuar për kitarë. Tani është një profesor i kitarës në shkollën e muzikës “Prekë Jakova” në Shkodër”, thekson ai. Për gazetën “SOT” këngëtari u përgjigj dhe dha mendimin etij në lidhje me muzikën popullore sot në vendin tonë. “Unë do të jem me ju tepër i hapur. Sot është i lirë gjithsekush të flasë, të shkruaj, të këndoj dhe të mendojë çfarë të dojë. Por gjërat duhen thënë si janë në realitet. Unë e kam për krenari të jashtëzakonshme të jem këngëtar i Shkodrës vazhdon ai. Unë kam vendosur një gur në themelet e interpretuesve të këngës popullore shkodrane dhe këtë të drejtë timen ekskluzive, nuk mund të ma mohojë askush. Më ka hyrë në gjak kjo këngë dhe kjo gjë që në estradë, ku kam gjetur dy artist si Bik Ndoja dhe Shyqyri Alushi. Ato e dinë se sa sukses kam pasur në atë kohë, sepse i kam dëgjuar dhe jam munduar me marrë të mirat dhe anët pozitive të tyre.
Por dua të dal këtu, sepse dikur në Shkodër janë bërë “Festivalet e Këngës Popullore Qytetare Shkodrane”. Ka qenë edhe “Filarmonia e Shtëpisë së Kulturës” në drejtimin e Xhavit Ujkanit. Unë kam arritur tre festivale të këngës popullore qytetare shkodrane, dhe kam marrë edhe çmime”, thotë Bujari me nostalgji, duke dashur të sqarojë edhe shumë aktivitete serioze në atë kohë. “Këto koncerte kanë vazhduar me vite deri sa në estradën profesioniste të Shkodrës erdhi një njeri si Luan Borova, i cili bëri revolucion në këngën popullore shkodrane. Ai ka marrë të gjitha këngët e vjetra shkodrane të ekzekutuara nga disa instrumente folklorikë tradicional të Shkodrës dhe i hodhi në një formacion orkestral të kohës. Ai ka bërë që në pak vite të orkestrojë tre koncerte të “Karafilave që ka Shkodra” dhe që janë baras me 99 këngë. Unë e pranoj botërisht se jam i vetmi këngëtar që në këngët e mia, dora e Borovës ishte mbi 40-të herë”, pohon ai. Në këtë mënyrë kënga popullore shkodrane mori vlera të mëdha dhe të bukura. Sot kënga popullore shkodrane deklaron Bujari, ka një mungesë të theksuar kompozimi. Kjo është një mungesë e theksuar dhe e pa diskutueshme, forcon fjalinë këngëtari i madh i muzikës popullore. “Ka vite që është bërë festivali i tretë i këngës popullore qytetare dhe është bërë vetëm një kompozim i ri për atë kohë i kompozitorit të madh Pjetër Gaci. Emri është “Ky Marak” dhe gati u vendos që të hiqej si këngë. Kjo këngë doli dhe mori përmasa të jashtëzakonshme dhe e kanë kënduar mbi 30-të këngëtarë e qysh në atë këngë të fundit e futur në të gjitha dasmat shkodrane dhe sot nuk ka më. Kjo është një mungesë e theksuar e kompozimit, në një kohë që në Shkodër ka muzikant të jashtëzakonshëm dhe të mrekullueshëm”, tregon Bujari. Unë mund të përmend Roland Gulin, Ilir Zogën, Luan Degestanin por “nuk bëjnë këngë mor vëlla” shpërthen Bujari, më detyrojnë mua që në një album që mund të bëj, ti kthehem Shkodrës të shumë viteve më parë. Të gjithë ato që kanë mundësitë për të bërë këngën e re shkodrane, nuk prodhojnë. E mira është që këto koncerte të vazhdojnë dhe momentalisht është vetëm agjencia “Buna 1” që po e mban Shkodrën me koncerte dhe spektakle, deklaron me keqardhje Bujar Qamili. Këngëtari shkodran që është fitues i shumë çmimeve ka edhe “Folk Universin” me çmimin e publikut si dhe çmimin “Nderi i Unionit” nga “Unioni Artistik i Kombit Shqiptar”. Por Bujari nga Presidenti i Republikës, ka marrë edhe urdhrin “Naim Frashri i Artë” duke qenë një nga këngëtarët më të veçantë për çmime, medalje dhe prezantime në të gjithë botën ku ka shqiptarë. Pyetja tjetër për Bujarin ishte në formën e “vërejtjes” se pse nuk bënte koncerte recitale në Shkodër. Këngëtari i madh i këngës popullore shkodrane, tepër i interesuar për të sqaruar një herë e përgjithmonë këtë problem deklaroi: “Unë e vlerësoj edhe si pyetje edhe si vërejtje. Pastaj kam deklaruar se këtë vërejte ma kanë bërë edhe shumë simpatizantë të mi dhe unë do t’ju them atë që është realiteti. Unë nuk kam vërejtje që të bëj koncert në Shkodër, por nuk kam mundësi të bëj një koncert në Shkodër, duke pasur parasysh se koncerti ka përmasa jashtëzakonisht të mëdha. Unë flas për një koncert recital që fillon që nga “A” deri të “ZH-ja” dhe nuk e bëj në qytetin tim, për një arsye që është përmasa e madhe me të ftuarit, grupi valleve, orkestracionet, organizimi, grupi TV-së, punonjësit e skenës, fonia, ndriçimi, salla e shumë të tjera. Unë po të them botërisht se të hysh në “Sallën e Pallatit të Kongreseve”, hyn me 20 milion të vjetra minus për recitalin tim”. Pastaj Bujari sqaron se këto 20 milion merren nga 2000 spektatorët për dy net me 10.000 lekë të vjetra biletën. “Në Shkodër e para ka 500 vende në “Migjeni”, dhe biletën unë nuk mund ta bëj më tepër se 5000 lekë të vjetra dhe duhet të jap 10-të ditë rresht shfaqje, gjë që është e pa mundur për të nxjerrë harxhimet që shtohen pikërisht këto 10-të ditë shfaqje. Fitimi im, janë sponsorët dhe vetëm ato. Sepse koncerti i merr të gjitha lekët e biletave e mjafton të them se 6 milion të vjetra bëjnë 6-të orë në pallatin e kongreseve dhe shumë miliona të tjera, të cilat shkojnë 20 milion të vjetra”, pohon këngëtari shkodran. Pothuaj në fund, Bujarin për gazetën e pyesim përse ka bashkëpunim dhe duete profesioniste vetëm me këngëtaren Artiola Toska dhe jo me ndonjë artiste shkodrane. Do të kisha dëshirë thotë ai, “por zoti e ka dhënë se ajo në radhë të parë është një talent me zë brilant dhe teknikë të kënduari që radhë kush e ka”. Unë prapë them vazhdon ai, që për krah meje të ishte një këngëtare shkodrane, por është pak e pa mundur sqaron ai, sepse në përgjithësi këngëtaret shkodrane në karrierën e tyre artistike kanë një defekt, sepse kanë mbetur brenda Shkodrës. Këtë e kam vërejtje shoqërore, sepse ato më duan dhe i dua shumë pa përjashtim. Bujari deklaron se në drejtim të repertorit këngëtarët shkodranë, janë vetëm brenda Shkodrës dhe kjo sipas tij është një defekt i madh. “Munden në repertor të tyre të futet ndonjë këngë e Shqipërisë së mesme apo të jugut dhe trevave shqiptare. Do të ishte edhe një popullaritet krejt tjetër. Mua më urojnë duke më thënë se: e ke bërë këngën shkodrane të dëgjohet në Gjirokastër, por këngëtari është këngëtar, dhe duhet të këndojë gjithçka”, shprehet ai. Bujari në fund thotë se atij i janë bërë shumë oferta për të shkuar dhe banuar në botë dhe jashtë Shkodrës. Por ai nuk ka pranuar, sepse nuk qëndron dot pa qytetin e tij. Sa hipi në avion thotë këngëtari i madh i Shkodrës, më merr malli për qytetin tim. Unë do të vdes në Shkodër, pohon ai dhe i uron të gjithë shkodranëve jetë dhe ditë më të mira.