“Për herë të parë do të këndoj një këngë me motive nga jugu i Shqipërisë, që më tepër anon nga zona e Dropullit. Duke qenë se këtu ka gisht edhe origjina ime, mendova se, pse jo”
-Si do të prezantohet Rovena në klipin më të ri, për të cilin ju jeni duke punuar?
“Është hera e parë që unë zgjedh një stil krejt ndryshe nga ai me të cilin kam dalë deri më sot. Prej disa javësh jam duke punuar për këngën time më të fundit, që do të jetë pjesë e albumit më të ri që unë do të lançoj në muajt e verës. Mendoj se kjo është një risi përgjatë gjithë këtyre viteve karrierë muzikore që unë kam, pasi për herë të parë do të këndoj një këngë me motive nga jugu i Shqipërisë, që më tepër anon nga zona e Dropullit. Sigurisht, kjo nuk do të thotë që do këndoj në gjuhën greke, por do të vij me një performancë tepër të gjetur. Me këtë hit të ri, besoj se publiku dhe gjithë fansat e mi do të njohin anën tjetër të karakterit tim muzikor”.
-Kënga popullore nuk është më një risi për ju, por pse zgjodhët motivet krahinës së jugut e jo ato të Shqipërisë së Mesme, me të cilat keni eksploruar deri më tani?
“Kisha kohë që po studioja momentin e duhur për të gjetur diçka speciale në muzikën time. Duke qenë se këtu ka gisht edhe origjina ime, mendova se, pse jo, mund të këndoja shumë mirë edhe në këtë zhanër. Jam duke punuar vërtet fort për të prodhuar diçka cilësore, por që sërish nuk do të dalë nga rryma e turbofolku”.
-Si ke menduar që ta përshtatësh pamjen e jashtme me stilin e këngës tënde të fundit?
“Sigurisht që në një videoklip muzikor, një vend goxha të rëndësishëm e zë edhe luku. Duke qenë se kjo këngë është me motive nga jugu i Shqipërisë, edhe unë mendoj se do gjej një veshje që do alternohet me populloren dhe modernen, pasi pa këtë të fundit e kam shumë të vështirë të dal si në klipe, ashtu edhe në koncerte e spektakle ku jam e ftuar. Ndërsa modelin e flokëve kam nisur që ta ndryshoj, ku nga ngjyra e zezë, i kam çelur në kafe. Kam nisur të punoj me stilisten time edhe për veshjet që do të përdor në klip dhe jam e bindur që do të shihni një Rovenë krejt ndryshe”.
-Sa i takon videoklipit, ke menduar që ta realizosh brenda, apo jashtë Shqipërisë?
“Kisha mbi pesë vjet që videot e mia i bëja në studiot e Kosovës e Maqedonisë dhe vjet m’u mbush mendja që të provoja edhe një shqiptare. Duke qenë se nga bashkëpunimi i fundit në këngën “Adresë pa emër” kam mbetur e kënaqur, si me metodikën, cilësinë dhe stafin e punës, mendoj se edhe këtë vit do të punoj me një studio produksioni këtu në Tiranë”.
-Rovena, kohët e fundit të kemi parë shumë të angazhuar me klipe e këngë të reja. Ndërkohë që këtu në Tiranë i keni shmangur totalisht pjesëmarrjet nëpër festivale e kompeticione të rëndësishme muzikore. A ka ndonjë arsye për këtë zgjedhje tënden?
“Festivalet në përgjithësi u përkasin sistemeve të ngushta të vlerësimit. Ato nuk mbështeten në vlerësimin nga një masë e gjerë kritikësh muzikorë apo profesionistë të kësaj fushe të artit. Duke parë edhe manipulimet apo problemet që lindin çdo vit në festivalet tona, e kam parë si më të arsyeshëm diferencimin. Dikur e shihja si të domosdoshme pjesëmarrjen në to, pasi ishin e vetmja mënyrë promovimi, ndërsa sot jam e kënaqur me gjithçka kam arritur përmes koncerteve e klipeve që unë bëj”.
-Që sigurisht janë një metodë e gjetur komercializmi?
“Pa diskutim. Thuajse çdo javë unë kam ftesa për të kënduar si brenda, ashtu dhe jashtë Shqipërisë. Javën e kaluar isha në Belgjike dhe Itali, me disa koncerte rresht. Këtë javë do të jem në Zvicër dhe mezi po pres edhe sezonin e verës që ka koncerte pafund”.
-Ju jeni pronare e një lokali tepër të njohur në qytetin e Durrësit. Sa biznesmene e ndjen veten dhe a do të këndosh edhe sivjet tek bari yt?
“Fakti që shumë njerëz e dinë që ai është lokali im, më ka shtuar goxha klientelë. Këtë verë kam menduar që të bëj një tjetër investim të madh tek lokali im, si në infrastrukturë, ashtu edhe në mënyrën e menaxhimit. Në sezonin e verës do ketë më shumë këngëtarë të njohur të ftuar, në mënyrë që çdo mbrëmje të jetë ndryshe nga tjetra”.
-Po këtë verë, do të jetë i ftuar sërish miku yt Shpat Kasapi?
“Nuk ka pikë dyshimi që po. Shpati është një nga miqtë e mi më të mirë, me të cilin kam pasur goxha bashkëpunime muzikore. Shpesh këndojmë në të njëjtat vende, kemi kaluar pushimet bashkërisht dhe ai vazhdon të jetë një nga miqtë e mi specialë”.
-Si do t’i komentoje thashethemet që kanë lindur për ju të dy? Madje, në një të përditshme shqiptare është shkruar se Rovena ndahet nga i dashuri për Shpat Kasapin…
“Unë ju siguroj që gjithçka është në kuadrin e thashethemeve dhe njerëzve dashakeqë. Unë njoh Shpatin, të dashurën e tij dhe shpesh kemi dalë bashkërisht dhe nuk ka vend për kësi aludimesh”.
-Do të ketë të tjera bashkëpunime muzikore mes ju të dyve?
“Së shpejti mendojmë që të bëjmë një videoklip së bashku. Do të jetë një potpuri me këngë popullore që ne kemi nisur ta këndojmë në Kosovë, por që më në fund do e finalizojmë me një klip”.
-Realisht, a ka të dashur Rovena Stefa?
“Kam një jetë shumë impenjiative dhe kryefjala e ditëve të mia është vetëm muzika, pra nuk kam të dashur”.