Ëndrra e Canës: Dua finalen e Kupës UEFA

lorik canaNë sallën e konferencave të stadiumit “Velodrome”, Lorik Cana dhe trajneri Erik Gerets kanë qenë sërish së bashku, duke u përpjekur të motivojnë pjesën tjetër të skuadrës. Francezët do të luajnë sot në mbrëmje ndaj Spartakut të Moskës në 1/16 e finales të Kupës UEFA dhe tifozët presin që skuadra e tyre të shkojë sa më gjatë në këtë kompeticion. Cana ka qenë i drejtëpërdrejtë në deklaratën e tij, duke e cilësuar skuadrën moskovite si jo shumë të njohur, por mjaft të vështirë për ta mundur. “Përveç Igor Titov, nuk kanë asnjë të njohur në aspektin ndërkombëtar”, përgjigjet Lorik Cana. “Ne e kemi zbërthyer në detaje lojën e tyre dhe do ta bëjmë këtë edhe përpara ndeshjes”, shtoi ai. Në fakt, Spartaku vjen në këtë takim pas një periudhe pauze për shkak se kampionati rus ka mbaruar prej ditësh. Veç kësaj, skuadra mosokovite nuk do të ketë në organikë të gjithë elementët e saj për shkak se në Rusi tani është kohë merkatoje. “Ne në fakt jemi përqendruar te loja jonë, por duhet ta dini se për ekipet ruse apo ukrainase thuhet gjithmonë se nuk janë në formë në këtë periudhë dhe pikërisht kësaj duhet t’i ruhemi. Ata janë gjithmonë në formë kur janë në fushë. Unë kam luajtur kundër shumë prej ekipeve ruse apo ukrainase dhe janë gjithnjë shumë të gortë fizikisht, rigorozë dhe të disiplinuar në fushë. Kështu që nuk mendoj se do të jetë një detaj që do të luajë shumë rol në ndeshjen e nesërme (sotme) ndaj Spartakut”, deklaroi Lorik Cana, duke dashur të shuajë euforinë. Marseja megjithatë duket shumë e përqendruar në arritjen e kualifikimit. Dhe kjo sepse synimi i këtij ekipi, është arritja në finale.
Ëndrra
Trajneri Erik Gerets ka kërkuar përqendrim maksimal nga skuadra, por në konferencën për shtyp la të flasë më shumë kapitenin e skuadrës. Te Lorik Cana janë përqendruar edhe pyetjet e gazetarëve për ndeshjen e sotme. “Ëndrra ime është të shkoj në finale të Kupës UEFA”, u shpreh mesfushori shqiptar, ndoshta duke menduar një përballje me mikun e tij Frenk Riberi, që luan me Bajernin e Mynihut. Në fakt, Olimpiku i Marsejës është një nga skuadrat më të mëdha të këtij kompeticioni, pas Bajernit të Mynihut, Verder Bremenit, Atletikos së Madridit apo Benfikës. Veç kësaj, ekipi marsejez duket se ka rigjetur formën e tij më të mirë në vitin 2008. Fitorja 2-0 ndaj Nisës të dielën, bëri që Marseja të afrohet në 6 pikë me zonën e Champions League. Megjithatë trajneri Gerets nuk dëshiron që skuadra të mendojë për kampionatin në takimin e sotëm. “Soartaku është një fuqi e madhe europiane dhe jam kurioz të shoh futbollistët e mi se si do të përballen në fushë. Pres shumë nga grupi që kam, nuk jemi të lodhur dhe njëkohësisht jemi shumë të motivuar”, u shpreh trajneri belg. Në fakt, Erik Gerets do të mundohet që skuadra e tij të ruajë disi energjitë për ssupersfidën e të dielës ndaj Paris Sent Zhermen, po në “Velodrome”. Në të njëjtën linjë është edhe Cana, për të cilin bëhet fjalë për një përballje me ekipin që e lançoi në futbollin profesionist francez.

Leave a Comment

Please note: Comment moderation is enabled and may delay your comment. There is no need to resubmit your comment.